Mbështetja e kompanive është thelbësore për ekonominë e Maqedonisë, u mbajt takim me Vitalia
Në kuadër të konceptit të përforcimit të bashkëpunimit me kompanitë e huaja dhe vendore, sot drejtori i ZZHTI-s, Goce Dimovski pati takim me përfaqësuesit e kompanisë lider maqedonase të specializuar në prodhimin dhe tregtimin e ushqimit të shëndetshëm – Vitalia. Takimi ishte një mundësi për të shkëmbyer ide dhe për të diskutuar perspektivat e ardhshme të bashkëpunimit mes dy palëve.
Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbështetjes së kompanive vendase në rritjen dhe zhvillimin e tyre.
“Vitalia është shembull i një kompanie të suksesshme maqedonase që pushton tregun rajonal me inovacionin dhe cilësinë e saj. Së bashku me qeverinë e re jemi këtu për t’i mbështetur të gjitha kompanitë, duke kontribuar në suksesin e mëtutjeshëm të tyre, i cili do të rrisë edhe më tej rritjen ekonomike të Maqedonisë”, tha Dimovski.
Përfaqësuesit e Vitalia shprehën me kënaqësi të madhe mirënjohjen për takimin, duke theksuar rëndësinë e këtij takimi për zhvillimin e mëtejshëm të kompanisë.
“Misioni ynë si kompani është përmirësimi i vazhdueshëm i produkteve dhe proceseve tona, të gjitha me qëllim të perfeksionimit të produktit final që do të kënaqë nevojat e konsumatorëve tanë. Mbështetja nga shteti, përkatësisht institucionet siç është Drejtoria për ZZHTI, është me rëndësi kyçe për rritjen tonë të mëtutjeshme”, tha Nikolla Vetagjokoski, drejtor i përgjithshëm i Vitalia.
“Vitalia gjithmonë është përpjekur të arrijë standardet më të larta në prodhimin e ushqimit të shëndetshëm. Angazhimi ynë ndaj cilësisë dhe inovacionit është forca shtytëse pas çdo produkti të ri që ne lançojmë. Ky takim është vetëm një konfirmim se me partnerët e duhur mund t’i tejkalojmë të gjitha sfidat dhe të arrijmë suksese edhe më të mëdha”, tha Iskra Vetagjokoska – Mucunska, bashkëpronare dhe menaxhere e përgjithshme e Vitalia.
Vitalia është një kompani, aktiviteti i së cilës është prodhimi dhe tregtimi i produkteve nga fusha e ushqimit të shëndetshëm, e themeluar në vitin 1993. Që atëherë, ajo ka nxitur zhvillimin e shpejtë dhe dinamik, dhe falë profesionalizmit dhe inovacionit të lartë, sot Vitalia njihet si lider në prodhimin e ushqimit të shëndetshëm, me prezencë në tregjet në të gjithë Ballkanin dhe Evropën Lindore.