Një takim i suksesshëm u zhvillua me përfaqësues të kompanisë kanadeze Magna Mirrors
Drejtori i ZZHTI-s, Goce Dimovski, sot ka zhvilluar takim me përfaqësuesit e fabrikës Magna Mirrors – Strugë. Në takim u shqyrtuan aktivitetet aktuale dhe planet e ardhshme të kompanisë, si dhe u morën parasysh mundësitë për bashkëpunim të mëtutjeshëm.
“Ky takim paraqet një tjetër hap të rëndësishëm përpara në qëllimin tonë që kemi vendosur së bashku me qeverinë e re – krijimin e një klime të favorshme dhe të qëndrueshme investuese që do të ndikojë pozitivisht në zhvillimin ekonomik, por edhe do të tërheqë investime të reja. Prania e Magna Mirrors, si pjesë e Magna Internacional, tregon qartë se Maqedonia ofron një mjedis stabil dhe konkurrues të favorshëm për investitorët globalë”, tha drejtori Dimovski.
Përfaqësuesit e Magna Mirrors, duke prezantuar konceptin e kompanisë, shprehën kënaqësi të veçantë për takimin, duke shpresuar për bashkëpunim të suksesshëm të mëtejshëm. Danço Petrov, drejtor i Magna Mirrors, konfirmoi përkushtimin e kompanisë për zhvillimin e mëtejmë dhe zgjerimin e kapaciteteve në Maqedoni.
“Fabrika në Strugë është një nga më të sofistikuara në rrjetin tonë global, që është një konfirmim i përkushtimit ndaj standardeve të larta të cilësisë dhe inovacionit. Mbështetja nga institucionet qeveritare dhe politikat e favorshme ekonomike janë të një rëndësie vendimtare për praninë tonë të qëndrueshme dhe afatgjatë në Maqedoni”, tha Danço Petrov, drejtor i fabrikës.
Kompania kanadeze Magna Mirrors është lider në prodhimin e pasqyrave të automobilave dhe komponentëve teknologjikë, duke përmbushur standardet më të larta të industrisë së automobilave. Me klientë të shquar si General Motors, Ford, BMW, Toyota, Volkswagen, Honda dhe një mori markash të tjera të njohura, kompania luan një rol kyç në sigurimin e inovacionit dhe cilësisë, duke u pozicionuar si një kompani lider në zhvillimin e zgjidhjeve të reja. Përveç kësaj, Magna International aktualisht është duke ndërtuar objektin e saj të dytë në Maqedoni, Magna Mehatroniks, ku do të prodhohen sisteme të integruara të komponentëve mekanikë dhe elektronikë.