REAGIMI I ZZHTI-SË: PROPOZIMI I VMRO-DPMNE-SË PËR SHKURTIMIN E INVESTIMEVE KAPITALE ËSHTË I DËMSHËM

Drejtoria për zona zhvillimore teknologjike industriale e konsideron të dëmshëm propozimin e nënkryetarit të VMRO-DPMNE-së Aleksandar Nikollovski për shkurtimin e investimeve kapitale. Aq më tepër që ky propozim vjen në një kohë të rritjes së nevojës për mbështetje për ekonominë dhe investimet kapitale janë një instrument i rëndësishëm për këtë mbështetje.

Në interes të informimit objektiv të publikut, ne i përgjigjemi edhe pretendimeve të përgjithshme të bëra nga i njëjti zyrtar në lidhje me funksionimin e ZZHTI-së.

Gjegjësisht, vetëm në ZZHTI, në dy vitet e fundit janë nisur dhe përfunduar investimet kapitale në vlerë prej më shumë se 1,2 miliardë denarë, që është dukshëm më shumë se mesatarja vjetore prej 300 milionë denarë deri në vitin 2020. Kjo është dëshmi primare se qëndrimi partiak i Nikollovskit është i përgjithshëm dhe nuk përputhet me realitetin. Po ashtu, këto mjete janë të destinuara për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës bazë të ZZHTI-së Shkup 1 dhe 2, në Shtip, Strugë, Prilep dhe Strumicë, si dhe në IZ Kosel (Ohër). Me këto 1,2 miliardë denarë po ndërtohet mbikalimi që funksionalisht do të lidhë zonat Shkup 1 dhe Shkup 2 dhe në pjesën tjetër të projekteve realizohet ndërtimi i rrugëve, ndërtimi i tubacioneve të ujit, kanalizimeve, ndriçimit, lidhjeve të energjisë, si dhe ndërtimi i objekteve në funksion të investitorëve. Vëmë re se të gjitha këto zona janë funksionale, domethënë në to funksionojnë një ose më shumë objekte industriale.

Rritja e investimeve në infrastrukturën moderne është pjesë e konceptit të ri të punës së ZZHTI-së, ku nje vend i rëndësishëm zë stabiliteti dhe siguria e arritur me anëtarsimin në NATO. Kështu, vetëm në dy vitet e fundit janë arritur marrëveshje investimi mbi 620 milionë euro, që është e barabartë me ecurinë e përgjithshme 11-vjeçare të këtij plani në periudhën deri në vitin 2016. Në më pak se dy vjet janë regjistruar më shumë se 2.500 vende të reja pune dhe rritje pagash mbi mesataren në ekonomi. Për momentin në ZZHTI punojnë 15.500 persona, që është 2,5 herë më shumë se numri i të punësuarve deri në vitin 2016,që është dëshmi elementare e suksesit të projekteve brenda ZZHTI-së.

Vetëm në vitin 2021 kompanitë që i shfrytëzojnë shërbimet tona kanë paguar në buxhet mbi 2 miliardë denarë në bazë të kontributeve dhe tatimit personal.

Duke marrë parasysh këto rezultate, si dhe efektet e padiskutueshme të mbështetjes së ekonomisë përmes investimeve kapitale, konsiderojmë se propozimi i partisë politike VMRO-DPMNE për shkurtimin e investimeve kapitale është i palogjikshëm dhe krejtësisht në kundërshtim me interesin e ekonomisë dhe të qytetarëve, gjatë kësaj krize ekonomike presin më shumë punësime dhe paga më të larta.

Në të njëjtën kohë presim që partia politike VMRO-DPMNE të mos sillet ,,pronar” i investimeve të huaja apo Drejtoria e ZZHTI-së. Institucionet nuk janë as të LSDM-së, as të DPMNE-së, BDI-së apo ndonjë partie politike. Institucionet janë të qytetarëve dhe paguhen me paratë e taksave nga kompanitë dhe u kthehen qytetarëve.