Vazhdon seria e vizitave nëpër kompani, drejtori Dimovski në vizitë në Teknopanel

Në kuadër të serisë së vizitave në kompanitë që punojnë në zonat zhvillimore teknologjike industriale, me qëllim të komunikimit dhe mbështetjes së drejtpërdrejtë të kompanive, drejtori i ZZHTI-s, Goce Dimovski, vizitoi fabrikën Teknopanel në Shkup.

Fabrika, e cila është në fazën përfundimtare të ndërtimit, së shpejti do të nisë funksionimin e plotë, që paraqet një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit ekonomik, hapjes së vendeve të reja të punës.

Teknopanel është një kompani me reputacion, e krijuar për të ofruar panele dhe materiale izoluese me cilësi të lartë për industrinë e ndërtimit. Me zgjidhjet e saj inovative dhe teknologjitë moderne, kompania është lider në industri, duke mundësuar zhvillim të qëndrueshëm dhe efikasitet të projekteve të ndërtimit në mbarë botën.

“Ne jemi krenarë që një kompani si Teknopanel zgjodhi Maqedoninë për investimin e saj të ri, që në fakt është investimi i parë jashtë Turqisë. Qeveria e re vendosi si prioritete kryesore rritjen ekonomike, vendet e reja të punës dhe tërheqjen e investimeve të reja. Këto prioritete do të mbeten shtytësi kryesor i punës sonë. ZZHTI do të vazhdojë të mbështesë investimet që sjellin përfitime afatgjata për vendin tonë”, tha drejtori i ZZHTI, Goce Dimovski.

“Pozita gjeografike e Maqedonisë, si dhe mbështetja e përgjithshme nga ekipi i ZZHTI-s, ishin kyçe për këtë investim. Shpresojmë sinqerisht për bashkëpunim të mëtejshëm. Ne kemi besim se përpjekjet e përbashkëta do të rezultojnë me sukses dhe zhvillim afatgjatë”, tha Orhan Kahveji, drejtor i përgjithshëm i Teknopanel.

Vizita në fabrikën Teknopanel në Shkup është një tjetër dëshmi e përkushtimit të ZZHTI-s në mbështetjen e investitorëve dhe ofrimin e kushteve të favorshme për investim. Me projekte dhe iniciativa të reja, Maqedonia vazhdon të jetë destinacion tërheqës për investime të huaja dhe zhvillim teknologjik.