Vizitë zyrtare e kompanive Lear dhe Kiel në ZZHTI Tetovë
Në vizitën e sotme në zonën zhvillimore teknologjike industriale në Tetovë, drejtori Goce Dimovski, janë përfshirë dy kompanitë që operojnë në zonë, Lear dhe Kiel, ku janë shqyrtuar aktivitetet e deritanishme, si dhe planet për zhvillim në të ardhmen.
“Misioni ynë është të vazhdojmë të inovojmë duke ofruar produkte të cilësisë më të lartë, duke forcuar kështu pozicionin tonë në tregun global. Përmes investimeve të vazhdueshme në kërkime, zhvillim dhe progres teknologjik, ne e justifikojmë pozicionin tonë si furnizues lider i produkteve më të mira.” – theksoi drejtori i përgjithshëm i Lear, Vanja Stojanovski.
Ndryshe, Lear është një nga furnizuesit kryesorë globalë të sediljeve të automobilave dhe sistemeve të shpërndarjes elektrike. Lear i shërben çdo prodhuesi kryesor të makinave në botë dhe produktet Lear mund të gjenden në më shumë se 300 emra automjetesh.
Në të njëjtën kohë, gjatë vizitës u diskutuan mundësitë për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe futjen e teknologjive të reja, të cilat do të kontribojnë në rritjen e produktivitetit dhe cilësisë së produkteve.
Drejtori Goce Dimovski gjatë vizitave shprehu kënaqësinë e tij dhe theksoi rëndësinë e investimeve të tilla për rritjen ekonomike të Maqedonisë.
“Këto kompani jo vetëm që kontribojnë në ekonominë tonë, por edhe forcojnë pozicionin tonë si destinacion për investime të huaja. Suksesi i kompanive është vendimtar dhe për këtë jemi të përkushtuar që të krijojmë kushte që do të mundësojnë rritjen dhe zhvillimin e vazhdueshëm të tyre”, tha Dimovski.
“Kjo është fabrika jonë e dytë prodhuese në Maqedoni e cila zyrtarisht ka filluar punën rreth dy muaj më parë. Vetë ky investim dëshmon për besimin tonë në kushtet që ofron ky vend për investitorët, si dhe për angazhimin tonë afatgjatë për zhvillimin e tij ekonomik. Me hapjen e këtij objekti, jo vetëm e rritëm prodhimin dhe numrin e operacioneve prodhuese, por edhe e forcuam bashkëpunimin me Maqedoninë, duke e parë atë si partner afatgjatë në arritjen e qëllimeve tona globale.”- theksoi drejtori i Kiel, Vladimir Stefanovski .
Kiel Macedonia është prodhuesi kryesor i sediljeve për trena dhe autobusë. Në objektin e ri prodhues në Tetovë, i cili ka një sipërfaqe prej 7500 metrash katrorë, është planifikuar të hapen 300 vende të reja pune në rajonin e Pollogut.
Këto vizita dëshmojnë përkushtimin e ZZHTI ndaj konceptit të ri të dialogut të drejtpërdrejtë me kompanitë, për të kuptuar më mirë nevojat dhe sfidat e tyre. Këto takime do të vazhdojnë edhe në periudhën në vijim, me fokus kompani të ndryshme që punojnë në kuadër të ZZHTI.