ZZHTI – EBOR: bashkëpunim strategjik për të inkurajuar rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Maqedonisë
Drejtori i ZZHTI-s, Goce Dimovski, sot realizoi takim me përfaqësuesit e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBOR), Fatih Turkmenoglu, përfaqësues i EBOR-s për Maqedoninë dhe Vlado Bojaxhievski, ndihmës drejtor, bankar i lartë. Në takim u bisedua për bashkëpunim ekonomik, me fokus në investime të reja potenciale që do të kontribuojnë edhe më tej në zhvillimin e Maqedonisë.
Gjatë takimit, Dimovski theksoi se ZZHTI si institucion në bashkëpunim me Qeverinë e re, në mënyrë aktive po punon për tërheqjen e investitorëve të huaj, të cilët do të sjellin përfitime të konsiderueshme për ekonominë e Maqedonisë duke krijuar vende të reja pune dhe duke rritur eksportin.
“Çdo investim i ri konfirmon rëndësinë strategjike të Maqedonisë së Veriut si një destinacion tërheqës për biznesin në rajon. Bashkëpunimi me EBOR-in është kyç në procesin e ofrimit të mbështetjes financiare dhe konsultative për këto projekte, të cilat kanë potencial të kontribuojnë dukshëm në rritjen ekonomike afatgjatë”, tha drejtori Dimovski.
Përfaqësuesit e EBOR shprehën kënaqësinë e tyre për takimin, me shpresën për një bashkëpunim të mëtejshëm të suksesshëm. Nga ana e tyre, ata theksuan rëndësinë e takimeve dhe partneriteteve të tilla, duke theksuar gatishmërinë e Bankës për të mbështetur projekte që do të kontribuojnë në progresin ekonomik të vendit.
U diskutuan edhe mundësitë për projekte të ardhshme që do të lehtësonin aksesin për investitorët e rinj, me qëllim krijimin e kushteve edhe më të favorshme për rritje dhe stabilitet ekonomik.