HAPET FABRIKA E DYTË E KOMPANISË AMERIKANE ,,KEMET” – INVESTIM PREJ 25 MILIONË EURO

“Konfirmim i politikave të mira ekonomike që udhëheqim dhe klimës së qëndrueshme investuese që krijojmë në vend, është zgjerimi me kapacitet të ri prodhues dhe punësime të reja në zonën zhvillimore teknologjike-industriale Shkupi 1”, theksoi Kryeministri Dimitar Kovaçevski në hapjen e sotme të fabrikës së dytë të kompanisë amerikane “Kemet Electroniks”, ku morën pjesë edhe zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike Fatmir Bytyqi dhe drejtori i Zonave Zhvillimore Teknologjike-Industriale (ZZHTI) Jovan Despotovski.

“Kam nderin që jam sot këtu në “Kemet Electroniks”, e cila për shkak të mbështetjes dhe kushteve që merr në vend, pas hapjes së fabrikës së parë, sot hap të dytën. Në fabrikën e parë të “Kemet Electroniks” e cila në Maqedoninë e Veriut prodhon kondensatorë për industrinë e automobilave dhe aplikacione të ndryshme industriale aktualisht  punojnë 400 qytetarë tanë. Sipas planit të kompanisë, është paraparë të ketë 500, 600 dhe 700 punonjës në periudhë afatmesme. Në fabrikën e dytë, në mënyrë shtesë janë paraparë  edhe 360 punëtorë të rinj”, tha Kryeministri Kovaçevski.

Ai theksoi se përveç sfidave të shumta, Qeveria punon në interes të rimëkëmbjes ekonomike të vendit, zhvillimit dhe cilësisë më të mirë të jetës për të gjithë qytetarët.

“Ne gjatë periudhës së kaluar kemi kaluar kriza vërtet të mëdha, së pari ishte kovid-i shkatërrues, korona e cila mbylli tregjet, vështirësoi kanalet e furnizimit dhe për këtë arsye si Qeveri ndihmuam me 1.2 miliardë euro në përballjen me të njëjtën për kategoritë më të cenueshme të qytetarëve, kompanive për të mbajtur vendet e punës, për të mbajtur likuiditetin që më pas të vazhdojnë të punojnë.

U konfirmua si  i  suksesshëm, sepse të gjitha fabrikat në vend, pas krizës së koronës vazhduan të punojnë dhe me prodhim të rritur. Por, më pas erdhi kriza energjetike, lufta në Ukrainë.

Sërish mbyllje e tregjeve dhe akoma më keq rritje e çmimeve të energjensave , lëndëve të para, rritje e kostos së jetesës. Edhe atëherë dhe tani dhe në fillim të vitit dhe tani përsëri kemi pako ndihme – pako kundër krizës për kategoritë më të rrezikuara të qytetarëve, për ata që kanë pensionet më të ulëta, që kanë të ardhura të ulëta që në të vërtetë nuk mund të bëjnë të ardhura shtesë nga kategoritë e rrezikuara të qytetarëve. Këto janë për prindër kryefamiljarë, persona me aftësi të kufizuara, pensionistë me të ardhurat më të ulëta. Shteti gjithmonë do të jetë aty për të gjithë punëtorët, gjithmonë do të jetë për të gjithë pensionistët, për të gjithë qytetarët në shtet sepse qytetarët tanë këtë e meritojnë”, theksoi  Kryeministri Kovaçevski dhe shtoi se hapja e vendeve të reja të punës, në kushte të krizës, e cila mbizotëron jo vetëm në vendin tonë, jo vetëm në vendet e rajonit dhe të Evropës, por në mbarë botën, ka një rëndësie të madhe për përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit.

“Të gjithë e shohim vlerën e hapjes së njerëzve tanë, të gjithë e shohim vlerën e marrëdhënieve tona të mira miqësore edhe me SHBA-në edhe me BE-në. Të gjithë në fund të ditës e shohim vlerën e vendimeve të vështira që i merr Qeveria e Maqedonisë së Veriut. Vetëm me vendime të këtilla të vështira, me lidership, me udhëheqje të popullit të vet mund të arrihet  deri te çmimi i madh. Dhe çmimi i madh është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. BE-ja është koncept i shteteve të bashkuara, në të cilat ka drejtësi sociale, progres ekonomik dhe demokraci. Kjo është ajo që qytetarët tanë e meritojnë dhe për këtë ia vlen të luftojmë, të sjellim vendime të mira, vendime të vështira sepse në fund të ditës ai çmim i madh i anëtarësimit në BE, për të qenë në të njëjtën tryezë të madhe me të gjithë vendet e BE-së dhe për të pasur njerëz më të lumtur dhe më të pasur për këtë gjeneratë dhe për gjeneratat e ardhshme”, konkludoi Kryeministri Kovaçevski.

Drejtori i zonës së ZZHTI-së, Jovan Despotovski, theksoi se investitorët besojnë në potencialet dhe kapacitetet e vendit tonë dhe se me konceptin e ri të ZZHTI-së, i cili zbatohet për një vit e gjysmë, po arrihen rezultate.

“Kemi treguar se dimë të sjellim investitorë të rinj, por edhe të shfrytëzojmë potencialin e atyre që ekzistojnë. Kjo fabrikë e dytë e Kemet Electroniks, që investon 23 milionë euro shtesë, është pikërisht një shembull dhe dëshmi e tillë e besimit të investitorëve që besojnë në potencialet  dhe kapacitetet e vendit tonë.

Anëtarësimi NATO dhe stabiliteti janë thelbësore për investitorët që dëshirojnë  klimë të parashikueshme. Me konceptin e ri të ZZHTI-së, për vetëm 18 muaj kemi arritur kontrata prej 620 milionë eurosh, që sjellin mbi 4000 punonjës. Vetëm “Kemet Electroniks” do të dyfishojë numrin e punonjësve në mbi 800.

Kjo kompani vetëm gjatë këtij viti ka rritur dy herë pagat e punonjësve të saj. Qëllimi që i vendosim vetes nuk është vetëm rritja e numrit të vendeve të punës, por edhe ato më të paguara. Mbetemi të përkushtuar në këtë qëllim, duke siguruar mbështetje të plotë për investitorët”, tha Despotovski.