VDL Bus Maqedoni do të fillojë fazën e tretë të investimit – prodhimin e një modeli të ri autobusi

Drejtori Goce Dimovski sot zhvilloi një takim me Avram Stojçevskin, drejtor i përgjithshëm i kompanisë VDL Bus Maqedoni. Gjatë takimit u diskutua për aktivitetet aktuale të kompanisë, si dhe për realizimin e fazës së tretë të investimit, e cila do të arrijë vlerën mbi 5 milionë euro, me 150 vende të reja pune për kuadro me kualifikim të lartë në kuadër të ZZHTI Shkup 2.

Dimovski theksoi se Drejtoria për ZZHTI mbetet një partner i përkushtuar i kompanive që tashmë investojnë në vend, përmes mbështetjes institucionale në kohë dhe ndjekjes aktive të nevojave të tyre. Ai nënvizoi se pikërisht investitorët ekzistues janë treguesi më i fortë i cilësisë së mjedisit të biznesit, ndërsa zgjerimi i tyre është një sinjal i rëndësishëm i besimit në ekonominë vendore.

Gjatë takimit u shqyrtua plani për realizimin e fazës së tretë të investimit, i cili parashikon prodhimin e një modeli të ri autobusi. Gjithashtu, u konfirmua angazhimi për vazhdimin e bashkëpunimit konstruktiv, me qëllim krijimin e kushteve për realizimin me sukses të këtij cikli investues, zhvillimin e mëtejshëm dhe forcimin e konkurrueshmërisë së ekonomisë vendore.

Ndryshe, në prill të këtij viti kompania VDL Van Hool Maqedoni u riemërtua në VDL Bus Maqedoni, duke hyrë kështu në një fazë të re zhvillimi të veprimtarisë së saj. Ky ndryshim është pjesë e procesit më të gjerë të transformimit dhe zhvillimit të kompanisë, me fokus në avancimin e mëtejshëm të aktiviteteve prodhuese dhe forcimin e pozitës së saj në industrinë automobilistike.