ZONAT

Vazhdon mbështetja për investimet e huaja jashtë zonave, investimi i ri i EPSOTECH me vlerë 20 milionë euro, hapja e 110 vendeve të reja pune

2024-07-10T10:48:41+00:005 Korrik, 2024 |

Vazhdon mbështetja për investimet e huaja jashtë zonave, investimi i ri i EPSOTECH me vlerë 20 milionë euro, hapja e 110 vendeve të reja pune

Në gusht të këtij viti, kompania gjermano-belge Epsotech do të nisë aktivitetet ndërtimore për ndërtimin e një objekti të ri prodhues në komunën e Petrovecit, jashtë zonave të zhvillimit teknologjik (ZZHTI). Ky investim i rëndësishëm, me vlerë 20 milionë euro, do të krijojë më shumë se 110 vende të reja pune dhe do të përfshijë prodhimin e elementeve për industrinë e automobilave, hekurudhave dhe shëndetësisë.

Kryeministri Hristijan Mickoski, i cili përshëndeti investimin, tha se pret që kjo iniciativë të paktën të dyfishohet. “Është nderi dhe kënaqësia jonë të mirëpresim një tjetër investim pas më pak se dy javësh. Fillimisht, do të ketë 110 vende të reja pune, zhvillimi i një qendre kërkimore, diçka që ka munguar ose shumë pak deri tani. Por ky investim nuk ndalet këtu, numri i të punësuarve dhe eksporti do të vazhdojë të rritet dhe vetë investimi që presim së paku të dyfishohet”, tha Mickoski.

Drejtori ekzekutiv i Epsotech, Alamavi, theksoi se kompania ka përvojë 60 vjeçare dhe do të sjellë shumë aftësi në Maqedoni. “Shpresojmë që këtu të hapim mbi 110 vende pune, të cilat do të jenë më së shumti në degën e mekanikës dhe inxhinierisë. Ne dëshirojmë të fillojmë me ndërtimin e një godine të re, pra me një investim prej afërsisht 20 milionë euro. Ne duam të zgjerojmë aktivitetet tona me objekte prodhuese këtu në Shkup, gjegjësisht të punojmë në hapjen e një fabrike dhe makinerive të reja”, tha Alamavi.

Kompania, e njohur për standardet e saj mjedisore, do të sjellë edhe një Qendër të re Kërkimore dhe Zhvillimi. Kjo qendër do të punësojë njerëz shumë të aftë, gjë që do t’i shtojë vlerë të madhe investimit. Alamavi vuri në dukje se Epsotech përdor materiale të ricikluara dhe përdor energjinë e erës dhe diellit në operacionet e saj. “Ne riciklojmë materialet nga bujqësia dhe peshkimi, u japim atyre një cikël të ri jetësor dhe luajmë një rol shumë të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit dhe reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit”, shtoi ai.

Këtë investim e përshëndeti edhe drejtori i Drejtorisë për Zona Zhvillimore Teknologjike dhe Industriale (ZZHTI), Goce Dimovski, i cili theksoi se mbështetja e investimeve të huaja direkte jashtë ZZHTI-s është vendimtare për zhvillimin ekonomik të Maqedonisë. “Ky investim është shembull i një investimi të huaj të suksesshëm që sjell përfitime të konsiderueshme për ekonominë tonë. Përkushtimi dhe investimet e tyre paraqesin model që duhet ta ndjekin kompanitë tjera”, tha Dimovski.

Kjo nismë është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për krijimin e një klime të favorshme biznesi dhe nxitjen e zhvillimit ekonomik në të gjithë vendin. Bashkëpunimi me kompani si Epsotech konfirmon strategjinë e Qeverisë për tërheqjen e investimeve të huaja dhe krijimin e vendeve të reja të punës, që është faktor kyç për rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Go to Top