U mbajt një takim me Agjencinë Koreane të Tregtisë dhe Promovimit të Investimeve (KOTRA)
Drejtori i ZZHTI-s, Goce Dimovski, sot pati një takim të suksesshëm me përfaqësuesit e Agjencisë Koreane për Promovimin e Tregtisë dhe Investimeve (KOTRA) – departamenti komercial i Ambasadës së Republikës së Koresë, me seli në Sofje, Bullgari. Në drejtim të avancimit të bashkëpunimit ekonomik ndërmjet Maqedonisë dhe Koresë së Jugut, në takim u bisedua për nxitjen e investimeve, si dhe për mundësitë që ofrojnë Zonat Zhvillimore Teknologjike Industriale si destinacion.
“Bashkëpunimi me Korenë e Jugut është thelbësor për zhvillimin e mëtejshëm ekonomik të Maqedonisë, duke hapur mundësi të reja për rritjen e tregtisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës në sektorët strategjikë. Jemi duke punuar në mënyrë aktive në reforma të reja që do t’u mundësojnë investitorëve të huaj qasje më të lehtë dhe më të shpejtë në ekonominë tonë”, tha drejtori Dimovski.
Përfaqësuesit e KOTRA shprehën mirënjohjen e tyre për takimin, me shpresën për bashkëpunim të mëtejshëm të suksesshëm, duke konfirmuar angazhimin e tyre për lidhjen e kompanive koreane me rajonin.
“Kushtet që Maqedonia u ofron investitorëve të huaj, veçanërisht përmes Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale, paraqesin një platformë të shkëlqyer për kompanitë koreane që planifikojnë të zgjerojnë praninë e tyre në rajon. Ne presim një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe afatgjatë që do të sjellë përfitime reciproke.” – tha Ri Dong-Hjun, Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Koreane të Promovimit të Tregtisë dhe Investimeve (KOTRA) Sofje.
Ndryshe, Agjencia Korea e Tregtisë dhe Promovimit të Investimeve (KOTRA) konsiderohet si ndërmjetëse kyçe në forcimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Koresë dhe botës, duke inkurajuar inovacionin, teknologjinë dhe investimet në sektorë të ndryshëm.
Ky takim është pjesë e konceptit të ri të ZZHTI, që synon tërheqjen e investimeve të reja të huaja direkte dhe thellimin e marrëdhënieve ekonomike me ekonomitë lider në nivel global.