Investim i ri potencial në Maqedoni
Drejtori Dimovski, në kuadër të vizitës së delegacionit qeveritar në Turqi, pas takimit në mars të këtij viti, sot realizoi një takim produktiv me Kemal Amanoel, drejtor i përgjithshëm i kompanisë Cavo Otomotiv. Në takim u diskutua për planet e investimeve në ZZHTI, si dhe u shqyrtuan hapat konkretë për zbatimin e suksesshëm.
Korporata shumëkombëshe Cavo Otomotiv ka shprehur gatishmëri serioze për të investuar në një fabrikë të re në ZZHTI Shkup në vlerë prej 25 milionë euro, ku do të ketë 500 vende të reja pune.
Drejtori Dimovski theksoi rëndësinë e investimit të Cavo Otomotiv, duke pasur parasysh se investimet turke në zona janë në rritje të vazhdueshme. Në të njëjtën kohë, u theksuan përpjekjet dhe përkushtimi i Drejtorisë për ZZHTI-në si një institucion që punon në mënyrë aktive për përmirësimin e kushteve të investimit në bashkëpunim me Qeverinë dhe të gjitha palët e interesuara.
E themeluar në vitin 1984, Cavo është një korporatë shumëkombëshe që operon në industrinë e pajisjeve të automobilave, duke projektuar dhe prodhuar produkte sigurie, si dhe mekanizma të ndryshëm dhe kabllo operimi për shumë prodhues kryesorë të makinave. Përveç Turqisë, kompania aktualisht është e pranishme edhe në Kanada, Gjermani dhe Sllovaki dhe investimi i mundshëm në kuadër të ZZHTI do të jetë i një rëndësie kyçe si për Maqedoninë ashtu edhe për Evropën.







