INVESTIMI MË I MADH I RI PREJ 126 MILIONË EURO I ,,GERESHAJMER” QË NGA THEMELIMI I ZZHTI-së

Kompania gjermane farmaceutike “Gereshajmer” hap fabrikë të re në ZZHTI Shkup 2 në të cilën do të investojë mbi 126 milionë denarë, që përfaqëson shumë rekorde të investimit që nga themelimi i Zonave Zhvillimore Teknologjike Industriale (ZZHTI).

Vendimin për investimin e kompanisë e kumtoi nënkryetari i “Gereshajmer”, Oliver Burgel në takim me Kryeministrin Dimitar Kovaçevski dhe drejtorin e ZZHTI-së, Jovan Despotovski.

Kryeministri Kovaçevski u shpreh i kënaqur nga vendimi i kompanisë “Gereshajmer” të investojë në Maqedoninë e Veriut, që është konfirmim për politikat qeveritare ekonomike dhe klimën investuese pozitive në vend. Në mënyrë plotësuese Kryeministri Kovaçevski theksoi se investimet dhe punësimet e reja në kushte të krizës botërore janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e standardit të qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik. Në këtë drejtim Kryeministri theksoi se Qeveria fuqishëm e mbështet arsimin dual për zhvillim të karrierës të të rinjve, si dhe programe për trajnime kompetente me qëllim të krijimit të stafit të kualifikuar për nevojat e kompanive.

Kryeministri Kovaçevski theksoi rëndësinë e investitorëve gjermanë në vend, si dhe rritjen rekord të tregtisë ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Gjermanisë. Kryeministri nënvizoi se Qeveria vazhdon të krijojë një mjedis biznesi për zhvillimin e biznesit përmes nismave rajonale, si “Ballkani i Hapur”, si dhe komunikimit të rregullt me ​​Odat e Tregtisë që kompanitë të kenë një mjedis të parashikueshëm biznesi dhe të jenë në gjendje të planifikojnë ciklet e investimeve afatgjata.

Drejtori i ZZHTI-së, Despotovski theksoi se me këtë Maqedonia e Veriut hyn në hartën e vendeve që kanë kapacitet dhe kushte për investime seriozisht të mëdha dhe cilësore nga të cilat ka përfitim të drejtpërdrejtë për qytetarët dhe shtetin. Ai shtoi se kjo është për shkak të konceptit të ri të ZZHTI-së i cili bazohet në njohjen e nevojave të investitorëve dhe një qasje fleksibile. Ai gjithashtu theksoi se një aset kyç në tërheqjen e investimeve të huaja në kuadër të zhvillimeve globale është stabiliteti i garantuar nga anëtarësimi në NATO.

Në takim, nënkryetari i “Geresheimer”, Burgel, theksoi se Maqedonia e Veriut ka një klimë të shkëlqyer për të bërë biznes. Qasja në infrastrukturë cilësore, fuqi punëtore e kualifikuar adekuate dhe praktika të mira të punës ishin kyçe për vendimin për këtë investim të madh, tha menaxhmenti i kompanisë “Geresheimer”.

Në fabrikën e re të gjigantit farmaceutik “Geresheimer” me teknologji të avancuar do të prodhohen produkte të specializuara nga qelqi mjekësor dhe shiringa për vaksina dhe të ngjashme. Është planifikuar të hapen mbi 180 vende të reja pune me pagë mesatare dy herë mbi mesataren shtetërore. Fillimi i ndërtimit është planifikuar në tremujorin e tretë të vitit 2022, ndërsa prodhimi serik duhet të fillojë në vitin 2024.

“Geresheimer” në ZZHTI 2 tashmë ka realizuar projektin e parë për prodhimin e produkteve teknologjike për industrinë farmaceutike. Investimi fillestar prej 25 milionë euro tashmë është rritur në mbi 60 milionë euro.

Me realizimin e suksesshëm të dy projekteve të “Geresheimer”, Maqedonia e Veriut do të shëndrrohet në një nga destinacionet më tërheqëse për investime të kompanisë për të gjitha planet e ardhshme për zgjerimin e aktiviteteve të saj në Evropë.

“Geresheimer” është një partner kryesor global në industrinë farmaceutike dhe të kujdesit shëndetësor që prodhon produkte të specializuara të xhamit dhe plastikës mjekësore, siç janë: shiringa, kanula, shishe për vaksina dhe të ngjashme. Kompania ka objekte prodhimi në mbi 36 lokacione në Evropë, Amerikën Veriore dhe Jugore dhe Azi me rreth 10,000 punonjës dhe gjeneron të ardhura prej rreth 1,4 miliardë euro.