Dimovski: Kemi arritur të ndërtojmë një institucion që funksionon mbi parimet e llogaridhënies, profesionalizmit dhe menaxhimit të përgjegjshëm.
Me rastin e dy viteve të punës së suksesshme të Drejtorisë për Zonat Teknologjike Industriale Zhvillimore (ZZHTI), sot drejtori Goce Dimovski dhe ministri Timço Mucunski prezantuan rezultatet dhe arritjet kryesore, si dhe prioritetet strategjike për periudhën e ardhshme.
Drejtori Goce Dimovski theksoi rezultatet e arritura nga Drejtoria e ZZHTI-is, duke nënvizuar se qasja serioze dhe puna e vazhdueshme kanë dhënë rezultate konkrete dhe të rëndësishme.
“Gjatë dy viteve të fundit kemi arritur të ndërtojmë një institucion që funksionon mbi parimet e llogaridhënies, profesionalizmit dhe menaxhimit të përgjegjshëm. Dëshmi për këtë është edhe raporti më i fundit i Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2025, sipas të cilit Drejtoria e ZZHTI-is është vlerësuar me 85% përputhshmëri me standardet për zbatimin e sistemit të integritetit, duke u renditur në vendin e dytë ndër institucionet shtetërore më të vlerësuara në vend”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Dimovski theksoi se, krahas forcimit institucional, është arritur përparim i konsiderueshëm edhe në tërheqjen e investimeve të reja me vlerë të shtuar, teknologji moderne dhe mundësi të shumta zhvillimi.
“Gjatë këtyre dy viteve janë nisur dhe realizuar cikle të reja investimesh me vlerë prej 300 milionë eurosh, të cilat do të hapin mbi 3.000 vende pune dhe do ta rrisin ndjeshëm eksportin e vendit. Kjo është dëshmi se besimi në shtet, në institucionet dhe në politikat ekonomike është në rritje. Për më tepër, tre kompani shumëkombëshe tashmë kanë marrë vendime të brendshme për investime të reja në kuadër të zonave ZZHTI. Sipas planeve të tyre të biznesit, vlera totale e këtyre investimeve (duke përfshirë të gjitha fazat) pritet të arrijë në 200 milionë euro dhe të krijojë edhe 1.500 vende të reja pune”, shtoi ai.




