GJIGANTI ELEKTRONIKË JAGEO HYN NË ZZHTI – INVESTIMI MË I MADH QË NGA PAVARËSIA ME VLERË PREJ 205 MILIONË EURO

Drejtori i ZZHTI-së Jovan Despotovski dhe menaxhmenti i kompanisë ,,Jageo” nënshkruan sot në Taipei kontratën për investimin më të madh Greenfield që nga pavarësia e vendit tonë. ,,Jageo” do të investojë 205 milionë euro dhe mbi 3900 vende të reja pune.

Në ceremoninë që u mbajtë në selinë ,,Jageo”, nëpërmjet video fjalimit u bashkangjit edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

,,Jageo” do të prodhojë komponentë elektrikë për industri të ndryshme. Fabrikat e prodhimit do të vendosen në ZZHTI Shkup 1 dhe ZZHTI Shtip. Negociatat për investimin zgjatën pothuajse 1 vit dhe vendi u zgjodh si më i miri në konkurrencë me pjesën tjetër të rajonit dhe më gjerë, tha drejtori ekzekutiv i ,,Jageo”, Dejvid Vang.

,,Kemi një përvojë të madhe me Maqedininë e Veriut. Megjithatë, dy gjëra ishin kyçe pse e zgjodhëm për investimin tonë: kemi vërejtur që është stabile, me fuqi punëtore të kualifikuar dhe Qeveria është maksimalisht e përkushtuar dhe kishte një qëndrim jashtëzakonisht pozitiv ndaj nesh. Kjo mund të ketë qenë vendimtare. Gjithmonë na ka dalë në prag dhe ishte aty për çdo problem që kishim”, theksoi Vang.

Despotovski paralajmëroi se nënshkrimi i sotëm i Marrëveshjes është konfirmim se me dituri, dëshirë dhe këmbëngulje mund të arrijmë rezultate të mëdha.

,,Procesi nuk ishte aspak i lehtë. Shumë vende konkuruan, duke përfshirë Kroacinë dhe Sërbinë. Por ne ia dolëm në atë garë dhe sot jemi këtu, në këtë tryezë për të nënshkruar marrëveshje. Me këtë investim ne bëhemi pjesë e hartës së vendeve që ofrojnë komponentë vitalë për prodhuesit si ,,Tesla” dhe ,,Epl”, u shpreh Despotovski.

Sipas tij, në kompanitë në Zona punojnë  mbi 17 000 persona dhe hyrja e ,,Jageo” do të thotë 30% plus fuqi punëtore të këtij numri.

Investimin e uroi edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski.

,,Bëhet fjal për investim më të madh Greenfield që nga pavarësia e vendit tonë, me vlerë 205 milionë euro dhe mbi 3900 vende të reja pune. ,,Jageo” është lider shumëkombëshe për prodhimin e komponentëve elektronikë, e cila ka një prani të fortë globale dhe objekte të veta prodhimi dhe shitjeje në Azi, Evropë dhe Amerikë me 40,000 punonjës në mbarë botën.

Me konceptin e ri të nxitjes së investimeve, arritëm ta vendosim vendin tonë mjaft lart në hartën e destinacioneve të investimeve që kanë kapacitetin dhe kushtet për të realizuar investime cilësore. Shifrat flasin më së miri se sa efektiv është koncepti i ri i investimeve dhe mbështetjes së investimeve në ZZHTI. Në dy vitet e fundit janë arritur kontrata mbi 650 milionë euro, që është më shumë se gjysma e vëllimit total të investimeve të realizuara në 10 vitet e mëparshme. Me këtë investim kalojmë shumën mbi 850 milionë euro”, theksoi kryeministri.

Përndryshe ,,Jageo” është lider shumëkombëshe për prodhimin e komponentëve elektronikë, e themeluar në vitin 1977. Ajo ka 49 objekte prodhuese në nivel global me 40.000 punonjës, me një qarkullim vjetor prej mbi 4 miliardë dollarë.