Drejtori i ZZHTI-is Goce Dimovski pjesë e Samitit të 28-të Ekonomik Euroaziatik në Stamboll
Drejtori Goce Dimovski, në kuadër të delegacionit qeveritar të kryesuar nga ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska Koçoska, së bashku me zëvendësministren për Çështje Evropiane, Viktorija Trajkov, sot morën pjesë në Samitin e 28-të Ekonomik Euroaziatik në Stamboll të Turqisë, organizuar nga Fondacioni për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – Marmara Group.
Dimovski, në fjalimin e tij në panelin me temë “Ekologjia, ekonomia, energjia dhe inteligjenca artificiale”, theksoi se zhvillimi i qëndrueshëm nuk është vetëm zgjedhje, por domosdoshmëri.
“Zonat zhvillimore teknologjiko-industriale në Maqedoni janë dhënë si shembull për integrimin e standardeve mjedisore në zhvillimin industrial. Duke u fokusuar në industrinë e lehtë, jo ndotëse dhe logjistikën moderne, kemi krijuar kushte për prodhim që minimizon ndikimet negative në mjedis dhe mundëson jetë cilësore për komunitetet lokale.” – tha Dimovski.
Ai vuri në pah stimujt fiskalë dhe doganorë, përjashtimet nga taksat dhe mbështetjen për vende të reja pune, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në tërheqjen e investitorëve më novatorë vendas dhe të huaj.
“Vetëm përmes partneriteteve, shkëmbimit të njohurive dhe inovacionit mund të ndërtojmë ekonomi që janë elastike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Maqedonia mbetet e përkushtuar ndaj vlerave evropiane, tranzicionit të gjelbër dhe transformimit dixhital – së bashku me ju, miqtë dhe partnerët tanë nga rajoni euroaziatik.” – tha Dimovski.
Në të njëjtën kohë, drejtori Dimovski, në kuadër të samitit, realizoi takime të suksesshme me përfaqësues të shumtë të lartë dhe investitorë potencialë, në të cilat u diskutuan mundësitë për investime potenciale dhe forcimin e marrëdhënieve ekonomike.
Qëllimi i këtij samiti është të bëjë bashkë biznesmenë, politikanë dhe akademikë nga vende të ndryshme, gjë që do të ndikojë në forcimin e bashkëpunimit në fushën e ekonomisë, demokracisë dhe sigurisë.
Pjesëmarrja e Maqedonisë dhe Drejtorisë për ZZHTI si institucion në këtë samit është konfirmim i bashkëpunimit të suksesshëm me Turqinë, me përpjekje për përmirësimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ekonomike dhe investive ndërmjet dy vendeve.