Është nënshkruar marrëveshja për realizimin e investimit të ri të kompanisë turke Shahterm në ZZHTI

Drejtori i ZZHTI, Jovan Despotovski dhe drejtori i përgjithshëm i kompanisë “Shahterm”, Faruk Shahin, nënshkruan marrëveshje për realizimin e investimit të ri turk në Maqedoni. Marrëveshja e nënshkruar në Bursa parasheh dhënien me qira të tokës në ZZHTI Shkup 2 me sipërfaqe mbi 20.000 m2 dhe ndërtimin e objektit me sipërfaqe mbi 13.000 m2. Kjo është e para nga dy fazat e realizimit të investimit.

Nënshkrimi i marrëveshjes vjen vetëm 4 muaj pas shpalljes së investimit të ri turk në vend. Kompania turke ka rritur edhe investimin e planifikuar fillimisht nga 70 milionë euro në 100 milionë euro. Sipas planit të biznesit, kompania parashikon hapjen e 1000 vendeve të reja të punës në 10 vitet e ardhshme. Investimi i ri do të përfshijë një qendër për kërkim dhe zhvillim dhe do të përfaqësojë kapacitetin e parë prodhues të “Shakhterm” jashtë Republikës së Turqisë.

Nënshkrimi i marrëveshjes është në kuadër të vizitës në Turqi të delegacionit të ZZHTI të kryesuar nga Despotovski, ku parashihet edhe prezantimi i mundësive për investime para kompanive turke. Në nënshkrimin morën pjesë edhe ambasadori i Maqedonisë në Turqi, Jovan Manasievski dhe Junayt Shener, nënkryetar i bordit të drejtorëve të Odës Ekonomike të Bursës.

Ndryshe, kompania “Shahterm” ka më shumë se 40 vjet përvojë në projektimin dhe prodhimin e sistemeve të ngrohjes për të bardha dhe elektroshtëpiake. Për momentin, “Shahterm” është pjesë e pesë kompanive lider në këtë aktivitet në nivel global, me më shumë se gjysmën e prodhimit vjetor të destinuar për tregje jashtë Turqisë.

Lista e klientëve përbëhet nga prodhues të famshëm botëror të produkteve të bardha dhe elektroshtëpiake si “Whirlpool”, “Amika”, “Gorenje”, “Beko” dhe “Candy”.