Investim i ri i Çagataj Kablo 6 milionë euro, shpallen 200 vende të reja pune

Kompania turke Çagataj Kablo, e cila prej kohësh funksionon në kuadër të ZZHTI Shkup 1, do të investojë 6 milionë euro në zgjerimin e prodhimit duke ndërtuar një objekt të ri prej rreth 10 mijë metra katrorë, i cili do të sjellë 200 vende të reja pune.

Kjo fabrikë e re, e cila do të jetë dy herë më e madhe se ajo ekzistuese, jo vetëm do të krijojë vende të reja pune, por do të sjellë edhe teknologji të reja, që në fakt i detyrohet qasjes së përmirësuar të qeverisë së re.

Drejtori i Drejtorisë për ZZHTI, Goce Dimovski, sot vizitoi kompaninë në Stamboll dhe u takua me Ahmet Shemshetin Koroglu, kryetar i Bordit. Ai theksoi se ky investim i shpallur në korrik të vitit të kaluar është dëshmi e besimit të investitorëve të huaj në klimën e qëndrueshme ekonomike dhe mbështetjen e ofruar nga shteti. Ai theksoi se si institucion në bashkëpunim me Qeverinë, Drejtoria për ZZHTI do të vazhdojë të ofrojë mbështetje aktive dhe transparente për të gjithë investitorët e huaj.

Menaxhmenti shprehu mirënjohjen për mbështetjen e Drejtorisë, si një nga faktorët kyç për zgjerimin e këtij investimi, i cili do të sjellë vlerë të shtuar në ekonominë kombëtare.

Pas zgjerimit të paralajmëruar në korrik të vitit të kaluar, kjo fazë e dytë e investimit nga Çagataj Kablo do të thotë besim shumë më i madh te qeveria dhe sistemi, për të cilin ata besojnë se po funksionon shumë mirë.

Ndryshe, Çagataj Kablo prodhon tela dhe kabllo për industrinë e automobilave. Ata furnizojnë prodhuesit kryesorë të autobusëve, traktorëve, makinerive të ndërtimit, kamionëve, automjeteve komerciale, kondicionerëve, makinerive të pastrimit dhe automjeteve speciale të aeroportit.